Basri Sejdiu u shkarkua nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), njoftoi të hënën Bordi drejtues i këtij institucioni.
“Shkarkimi vjen si pasojë e performancës jo të kënaqshme dhe mospërmbushjes së detyrave të punës. Në vend të dr Sejdiut, ushtrues detyre i drejtorit është caktuar dr Valbon Krasniqi, mjek specialist i infektologjisë”, thuhet në njoftimin e Bordit drejtues të SHSKUK-së.
Në njoftim nuk jepen detaje se për çfarë performance bëhet fjalë dhe cilat detyra nuk janë përmbushur.
Shkarkimi i Sejdiut vjen në kohën kur Qendra Klinike Universitare e Kosovës po përballet me numër të shtuar të pacientëve të prekur me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Të hënën në këtë institucion janë të shtrirë 144 pacientë me këtë sëmundje.
Që nga shpërthimi i epidemisë në mes të marsit, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 3,508 raste me koronavirus.
Prej tyre, 75 pacientë kanë vdekur, ndërsa 1,531 raste mbeten aktive.