Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri raportoi të hënën për vdekjen e 3 pacientëve të tjerë me COVID-19.
Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha në një konferencë për media se viktimat ishin të moshave 63, 65 dhe 69 vjeç nga Tirana, Lezha dhe Puka.
Ajo bëri me dije se në mesin e atyre që humbën jetën nga koronavirusi, ishte edhe mjeku, Hysni Shjaku.
Prej rreth një jave, autoritetet shëndetësore në Shqipëri, raportojnë mesatarisht për 2-3 viktima në ditë.
Prej fillimit të muajit qershor kanë vdekur 46 persona, 13 më shumë se periudha tremujore mars-maj.
"Vijon të ketë shtrime në Spitalin Infektiv ku aktualisht janë 78 pacientë në spital, prej të cilëve 9 në gjendje serioze, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rëndë", u shpreh Tomini.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një konference për media u shpreh i shqetësuar për situatën në vend dhe i bëri thirrje qeverisë për një strategji të re për luftimin dhe përballimin e pandemisë, pas rritjes së numrit të viktimave.
“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik. Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë”, u shpreh presidenti Meta.
Ai mes tjerash kërkoi që të ketë masa mbrojtëse më të larta për mjekët e infermierët që po luftojnë me virusin.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit ishin kryer 459 testime, prej të cilave 71 persona u diagnostikuan me COVID-19, duke e çuar totalin në 2,964 të prekur prej kur ka filluar përhapja e pandemisë në vend.
Që nga muaji mars e deri më sot, autoritetet shëndetësore kanë kryer rreth 30 mijë teste, prej të cilëve 2,964 kanë rezultuar të infektuar (10 për qind e të testuarve), 1,702 kanë mundur të shërohen, 79 kanë vdekur, ndërsa 1,183 persona janë aktivë.