Ndërlidhjet

Kryeministri Hoti të martën do të takohet me presidentin Macron


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të martën në Paris, do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Kështu thuhet në një njoftim për media të Zyrës së Kryeministrit, ku thuhet se Hoti do të pritet me pritje zyrtare në Pallatin Elize në Francë.

Ky takim ndërmjet Hotit dhe Macron, vjen disa ditë, para mbajtjes së një samiti virtual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Samiti virtual, që do të mbahet të premten, më 10 korrik, organizohet nën ndërmjetësimit e presidentit francez, Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. Ky samit, ku merr pjesë edhe Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, thuhet se ka për qëllim lehtësimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, më 12 korrik, kryeministri Hoti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky takim ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit do të shënojë rinisjen e dialogut, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.

Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG