Ndërlidhjet

KMLDNJ kërkon pezullimin e dialogut Kosovë-Serbi


Ilustrim.
Ilustrim.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë se Kosova duhet të pezullojë bisedimet me Serbinë.

Ky reagim i KMLDNJ-së vjen në ditën kur Bashkimi Evropian njoftoi se më 12 korrik do të rinisë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim, Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Avdullah Hoti, i cili do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas KMDLNJ-së, dialogu duhet të pezullohet për shkak të situatës së krijuar, pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, se ka paraqitur aktakuzë me dhjetë pika, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit nuk është konfirmuar ende nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Pas bërjes publike të propozim aktakuzës, pa konfirmim nga gjykatësi i procedurës paraprake e që paraqet shkelje të rëndë të procedurës dhe pa asnjë dyshim shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, Kosova duhet të pezullojë bisedimet me Serbinë, deri në një kohë tjetër, përkundër insistimit të Francës dhe Gjermanisë", thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.

Gjithashtu, më 10 korrik, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të mbajnë një samit virtual me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Në këtë samit, ku do të flitet për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.

Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG