Ndërlidhjet

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve: Lirimi i masave solli gjendjen në prag të kolapsit


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar pas lajmit për vdekjen e pacientëve me koronavirus në QKUK dhe rritjes së të infektuarve, duke thënë se “institucionet nuk po arrijnë të menaxhojnë fluksin e pacientëve”.

Në një komunikatë për media, PRAK ka kritikuar vendimin për lirimin e masave kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, duke thënë se kjo ka kontribuar që gjendja të bëhet “e pamenaxhueshme”.

“Kalimi nga masa rigoroze në masa tejet liberale pa u ngritur kapacitetet spitalore, ka kontribuar që institucionet të vijnë në prag të kolapsit. Është e pashpjegueshme që në kohën kur rriteshin rastet e konfirmuara me COVID-19, masat preventive liroheshin edhe më shumë! Edhe më vështirë e shpjegueshme është reduktimi i gjurmimit të kontakte të personave të prekur me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Duke reaguar për vdekjen e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare, kjo shoqatë ka kërkuar që për këtë duhet dhënë përgjegjësi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovë, Basri Sejdiu duhet të japë dorëheqje “ose të shkarkohet nga Bordi i SHSKUK – së”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.

Gjatë të dielës, u raportua se në QKUK kanë vdekur pacientë nga koronavirusi. Por, Ministria e Shëndetësisë, kërkoi që njerëzit të përmbahen dhe të mos arrijnë në konkludime, duke shtuar se duhet të kryhet një analizë rreth shkaktarëve të këtyre rasteve që përfunduan me fatalitet. MSH po ashtu nuk ka konfirmuar se për sa raste të vdekjeve bëhet fjalë gjatë së dielës.

Aktualisht, në Kosovë janë të konfirmuar 66 raste të vdekjeve nga koronavirusi.

Mediat kanë raportuar se gjatë të dielës kanë humbur jetën katër persona.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 3,356 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,874 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,416 pacientë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG