Ndërlidhjet

Trump miraton planin e tërheqjes së mijëra trupave nga Gjermania


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka miratuar një plan për tërheqjen e 9.500 trupave amerikane nga Gjermania, tha zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman.

Hoffman tha se plani mundëson "frenimin e ndikimit rus, forcimin e NATO-s, sigurimin e Aleatëve, fleksibilitetin strategjik të SHBA-së dhe të Komandës Evropiane të SHBA-së, si dhe ofron përkujdesje për anëtarët e shërbimit tonë dhe familjet e tyre".

Vendimi parashah uljen e nivelit aktual të trupave amerikane në Gjermani, nga rreth 34.500 në 25,000.

Hoffman nuk dha detaje se kur do të ndodhin tërheqjet e trupave, ose nëse ato do të vendoseshin në një vend tjetër të NATO-s, siç është Polonia.

Gjatë vizitës së presidentit polak, Andrzej Duda në Uashington, javën e kaluar, Trump tha se disa nga trupat amerikane mund të shkojnë në Poloni.

Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se disa prej trupave mund të dërgohen në vendet e Evropës Lindore -si një lloj mesazhi ndaj Moskës.

Te vendet anëtare të NATO-s, janë rritur shqetësimet për një ekspansion të mundshëm rus, pasi Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme gadishullin e Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe filloi të mbështesë separatistët në një luftë, në pjesën lindore të vendit, që ka vrarë më shumë se 13,000 njerëz.

Trump tha në fillim të këtij muaji se po shkurtonte numrin e trupave në Gjermani, pasi përsëriti ankesat e tij se Berlini nuk po shpenzon sa duhet për mbrojtjen e vet dhe i trajton Shtetet e Bashkuara "keq" në tregti.

"Pentagoni do të informojë Kongresin për planin e miratuar, dhe më pas do të konsultohet me aleatët e NATO-s", tha Hoffman.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG