Ndërlidhjet

Pompeo i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të zgjasë embargon ndaj Iranit


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shteti, Mike Pompeo, i kërkoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të zgjasë një embargo armësh ndaj Iranit, duke paralajmëruar se lejimi që dokumenti të skadojë në tetor, do të shkaktonte paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme.

"Mos më dëgjoni vetëm mua ose Shtetet e Bashkuara, dëgjoni vendet e rajonit, nga Izraeli, Gjiri, vendet në Lindjen e Mesme të cilët janë më të ekspozuar ndaj predikimeve të Iranit. Ato po flasin me një zë të vetëm: zgjasni embargon e armëve", tha Pompeo.

Shtetet e Bashkuara javën e kaluar zyrtarisht i kërkuan Këshillit të Sigurimit, 15-anëtarësh, të zgjasë embargon e cila është paraparë të lehtësohet në mënyrë progresive, duke filluar nga muaji tetor në bazë të një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore.

Rusia dhe Kina, që kanë të drejtën e vetos, kanë thënë se kundërshtojnë veprimin e SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore në maj të vitit 2018 dhe vendosën sanksione të cilat kanë dëmtuar ekonominë iraniane.

Si përgjigje, Irani gradualisht filloi të shkelë angazhimet e tij bërthamore.

Nëse embargo hiqet, Irani ka të ngjarë të kërkojë të blejë avionë luftarakë, tanke, asete detare dhe armë të tjera nga Kina dhe Rusia për të rindërtuar pajisjet e saj ushtarake të vjetruara.

Embargoja e armëve nuk e ka penguar Iranin të furnizojë armë aleatët në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Sirinë, militantët irakienë, grupin militant Hezbollah të Libanit dhe rebelët Huthi të Jemenit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG