Ndërlidhjet

Kushtetuesja e shpall të pavlefshëm Ligjin për pagat


Gjykata Kushtetuese e Kosovës
Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

"Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze, sa që të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës – duke shkaktuar çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe Institucioneve të Pavarura", thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Vendimi thotë se "deputetët, pa ndonjë arsyetim dhe në mënyrë arbitrare kanë përjashtuar nga ky Ligj, ndër të tjera, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit".

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, Ligjin për paga, në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, pati thënë se “ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes së cilave shfaqen pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligjin për pagat në sektorin publik”.

Kurse Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020.

Qeveria: Vendimi është shokues

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës kanë reaguar edhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës. Zëvëndës-kryeministri, Besnik Tahiri e ka quajtur "shokues" vendimin, pas i njëjti, sipas tij, nuk lë hapësirë për korrigjimin në ato pak pjesë kontestuese.

"Ky është mohim i të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62000 shërbyes civilë", ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.

Ligji për paga është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019, kurse në fillim të muaji mars kishte hyrë në fuqi.

Sipas këtij ligjit, paga bazë është ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të një funksioni apo pozite të caktuar. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë (1:10), të shpërndarë në gjashtëdhjetë e nëntë (69) nivele të koeficientëve.

Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm presidenti i Republikës së Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës

Ligji për paga rregullon rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.

Por, punonjës në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në ligj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG