Kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian e përfundon të martën në mesnatë Kroacia ndërsa nga nesër do t'i takojë Gjermanisë. Presidenca Gjermane do ta ketë prioritet kryesor miratimin e Kornizës shumëvjeçare financiare dhe fondit për përballje me pasojat e pandemisë.
Por, sipas një diplomanti të lartë gjerman, në rend dite do të ketë edhe tema tjera.
Disa deputetë të Parlamentit Evropian i kanë shkruar kancelares gjermane që gjatë kryesimit të tyre me BE-në të vendosin në rend dite edhe liberalizimin e vizave për Kosovën pasi, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.
Një diplomat i lartë gjerman u ka thënë gazetarëve se për liberalizimin e vizave kërkohet një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare në Këshillin e BE-së dhe se, nëse Gjermania vlerëson se ekziston një shumicë e tillë, atëherë do ta vendosë në rend dite.
“Nëse e shohim se nuk ka shumicë të kualifikuar atëherë do të vazhdojmë të punojmë prapa skenës”, ka thënë ky diplomat gjerman.
Zyrtarë të lartë gjermanë janë shprehur publikisht në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Por, Franca, Holanda dhe disa shtete tjera të BE-së nuk e kanë mbështetur deri më tash një vendim të tillë.
Pos liberalizimit të vizave Gjermania dëshiron që gjatë kryesimit të saj me BE-në të avancojë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ka ardhur koha që të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim gjatë këtij viti. BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj në lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje në mënyrë që të ketë progres edhe në procesin e integrimeve evropiane”, ka thënë një diplomat i lartë gjerman.
Gjermania do të tentojë që gjatë presidencës së saj të BE-së të nisë edhe negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Por diplomati i lartë gjerman tërhoqi vërejtjen se në këtë drejtim nuk mund të ketë garanci. Ai tha se do të jetë më lehtë në rastin e Maqedonisë së Veriut sesa Shqipërisë, por Gjermania do të tentojë ta avansojë edhe këtë temë.
Për secilin hap në procesin e zgjerimit, vendimet miratohen me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.