Ndërlidhjet

Qytetarët rendisin gjyqësorin si sektorin më të korruptuar në Maqedoninë e V.


Të dhënat e Barometrit Ballkanik, të realizuar nga Këshilli për Bashkëpunimit Rajonal, tregojnë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut i konsiderojnë, sistemin gjyqësor, doganat dhe partitë politike, si sektorët më të korruptuar në këtë shtet.

Sipas Barometrit, 89 për qind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut thonë se korrupsioni është më i lartë në sistemin gjyqësor, më pas në vendin e dytë, përkatësisht 86 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur se më të korruptuara janë doganat dhe në vendin e tretë janë apostrofuar partitë politike, për çka janë shprehur 85 për qind e qytetarëve.

Në listën e sektorëve më të korruptuar përmenden edhe punonjësit e shëndetësisë, policët, mediat, punonjësit në arsim, ndërkohë që në fund të listës qëndron armata.

Njohësit e çështjeve politike thonë se Maqedonia e Veriut do ta ketë shumë të vështirë rrugën për t’u bërë pjesë familjes evropiane edhe pas hapjes së dyerve për anëtarësim nga ana e Brukselit përderisa korrupsioni apostrofohet si plagë nga e cila për më shumë vite lëngon funksionimi i institucioneve.

Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare, Transparent International thotë se institucionet e shtetit kanë dëshmuar se nuk kanë kapacitete të luftojnë korrupsionin në nivele të larta.

“Ne nuk arrijmë të shohim korrupsionin në nivele të larta për shkak se institucionet nuk disponojnë me kapacitetin e duhur për të hetuar dhe ndjekur atë. Ato shtete të cilat kanë mundësi që t`i ndjekin transaksionet nga Maqedonia, na tregojnë se çka është duke ndodhur këtu, megjithatë përderisa mungon procedimi, përkatësisht këto raste mbeten pa epilog ligjor, rrjedhimisht në aspektin statististikor kriminaliteti i tillë mbetet ‘joekzistent’”, thekson Taseva duke theksuar se pikërisht mosprocedimi i rasteve në nivele të larta si rrjedhojë e paaftësisë institucionale bën që edhe në ato raste kur detektohet korrupsioni në raste të caktuara të duket si diçka e kotë në sy të opinionit.

Në raportin e Barometrit Ballkanik theksohet se menjëherë pas korrupsionit, si shumë problematike qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë apostrofuar largimin e trurit nga rajoni, me atë që më shumë se 70 për qind e të rinjve të ardhmen e tyre mendojnë që të largohen nga rajoni.

Largimi i forcës së kualifikuar në Maqedoninë e veriut u bë problem nga viti 2015 kur interesi nga zero për qind atëherë u rrit në 20 për qind aktualisht.

Sefer Selimi nga organizata joqeveritare, “Democracy Lab” për Radion Evropa e Lirë thotë se për të rinjtë në rajon përfshirë këtu dhe Maqedoninë e Veriut është demotivuese ndërhyrja e politikës në ngritjen profesionale të të rinjve dhe mungesa e parimit të meritokracisë.

“Pra është mungesa e meritokracisë ajo që rrënon dinjitetin profesional të profesionistëve të rinj dhe për këtë arsye ata në të shumtën e rasteve kërkojnë rrugëdalje në vendet ku vlerësohet puna profesionale e të rinjve. Janë dhe një sërë kushtesh të tjera të cilat ndikojnë në largimin e të rinjve nga këtu e kjo ka të bëjë me standardin jetësor, përfshirë sistemin shëndetësor, pagat, jetën kulturore sociale dhe një sërë faktorësh tjerë që kontribuojnë në mirëqenien e përgjithshme shoqërore”, thotë Selimi.

Ndryshe, në Bazë të Barometrit Ballkanik, qytetarët e vendeve të rajonit kanë probleme të njëjta: papunësia (45 për qind) dhe situata ekonomike (40 për qind).

Korrupsioni është problemi i tretë më i madh (31 për qind), i ndjekur nga shqetësimet për largimin e personelit të kualifikuar jashtë vendit (20 për qind) dhe krimit (17 për qind).

Barometri Ballkanik është hulumtim vjetor i opinionit publik të kryer nga Këshilli për Bashkëpunimit Rajonal RCC, i cili bën mbledhjen dhe analizimin e të dhënave të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor për tema siç është punësimi, tregtia, investimet, korrupsioni etj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG