Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut gati për fushatën e zgjedhjeve të 15 korrikut


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Dy partitë kryesore politike maqedonase, Lidhja Social-Demokrate në pushtet dhe VMRO DPMNE-ja në opozitë, kanë kundërshtuar idenë e Bashkimit Demokratik për Integrim për emërimin e një kryeministri shqiptar pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

LSDM-ja e ish-kryeministrit Zoran Zaev, idenë e partisë BDI që drejtohet nga Ali Ahmeti, e ka quajtur populizëm që ka për synim sigurimin e votave në zgjedhjeve.

”Ky është një koncept nacional populist dhe asgjë tjetër. Besoj se nga kjo do të humbë BDI-ja. Ajo dhe VMRO-DPMNE-ja do të mbeten në opozitë. Vërtetë, pas 17 vitesh në pushtet do të jetë e shëndetshme për shtetin që BDI-ja të kalojë në opozitë, por është e shëndetshme edhe për të sepse në opozitë partitë përmirësohen, reformohen, e kështu me radhë”,ka deklarua kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ideja e BDI-së është e papranueshme edhe për VMRO DPMNE-në, pasi kjo parti beson kryeministri do të zgjidhet nga radhët e saj.

“Ne kemi kandidat për mandatar dhe Hristijan Mickoski do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit. Sa i takon kërkesës së BDI-ja, ajo është e papranueshme për ne. Vlerësojmë se bëhet për propagandë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet nga VMRO-DPMNE-ja”, ka deklaruar nënkryetari i kësaj partie, Aleksandër Nikollovski.

Edhe opozita shqiptare idenë e BDI-së e nuk e ka vlerësuar të sinqertë në veçanti thirrjen drejtuar partive tjera që të mbështesin këtë nismë për kryeministër shqiptar, meqë sipas Aleancës për Shqiptarët “BDI-ja ishte ajo e cila jo vetëm që kishte refuzuar kandidatin e saj për president shteti në zgjedhjet e fundit presidenciale, por edhe kishte refuzuar të ulet me opozitën për të diskutuar unifikimin e qëndrimeve për çështjet kombëtare”.

Nga BDI-ja thonë se nuk lëvizin nga ideja duke thënë se pas zgjedhjeve kjo parti nuk do të pranojë të jetë pjesë e asnjë qeveria nëse nuk do të pranonte një kandidat shqiptar për kryeministër.

“Kjo fushatë nuk do të jetë e zakonshme, por do të jetë një lëvizje për kryeministrin e parë shqiptar, prandaj organizata jonë do të shërbej si platformë dhe fton të gjithë qytetarët shqiptar dhe të tjerët që ti bashkëngjiten lëvizjen dhe ta përkrahin atë me ide dhe kontribut”, ka deklaruar Artan Grubi anëtar i kryesisë së BDI-së.

Në Maqedoninë e Veriut të hënën në mesnatë edhe zyrtarisht ka përfunduar gjendja e jashtëzakonshme duke i hapur rrugën nisjen së procedurave për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 15 korrik.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, tashmë ka nisur përgatitjet, por ende është në pritje të protokollit të hartuar nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive, se si duhet të votohet ditën e zgjedhjeve.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t'i përmbahen në përpikëri kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive, e me të cilat janë njoftuar të gjitha institucionet relevante në shtet. Mbajtja e maskave mbrojtëse, dezinfektimi dhe distanca, janë kriteret kryesore që duhet të përmbush çdokush që merr pjesë në procesin zgjedhor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG