Ndërlidhjet

Paul Whelan nuk apelon vendimin e burgimit, shpreson në këmbim


Paul Whelan.
Paul Whelan.

Vladimir Zherebenkov, avokat i ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, i cili është dënuar për spiunazh në Rusi javën e kaluar, ka thënë se klienti i tij nuk do ta apelojë vendimin sepse nuk i beson sistemit gjyqësor të këtij shteti.

Agjencia e lajmeve, Interfax ka cituar Zherebenkovin të ketë thënë se Whelan shpreson që Uashingtoni dhe Moska do të pajtohen për këmbim të të burgosurve.

“Sot e kemi takuar në ndërtesën e ndalimit dhe pas një diskutimi, është vendosur që ai nuk do ta apelojë vendimin sepse nuk i beson sistemit të drejtësisë në Rusi”, është cituar të ketë thënë Zherebenkov.

“Ai shpreson se do të ketë këmbim në të ardhmen e afërt për rusët që janë dënuar në Shtetet e Bashkuara”, ka shtuar ai.

Në disa raportime të mediave është thënë se zyrtarët rusë dhe ata amerikanë janë duke negociuar këmbimin e Whelanit me dy rusë, Viktor Bout dhe Konstantin Yaroshenko, që tashmë janë në burgjet amerikane.

Një Gjykatë në Moskë ka dënuar Whelanin me 16 vjet burgim, në një proces gjyqësor me dyer të mbyllura, pasi të dhënat është thënë se janë të klasifikuara dhe për shkak të masave të marra me qëllim të luftimit të koronavirusit.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Whelanit.

Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab ka thënë se është i zhgënjyer me vendimin kundër Whelanit, i cili mban edhe pasaportë britanike, kanadeze dhe irlandeze.

Ministria e Jashtme ruse ka hedhur poshtë “pretendimet për dënim të ashpër”.

Whelan, 50-vjecar është arrestuar në Moskë, në dhjetor të vitit 2018.

Ai mohon të gjitha akuzat.

Whelan ka thënë se është përfshirë në këtë rast, kur ka marrë një pajisje për ruajtje të informacioneve nga një shok, duke besuar se në të ka foto të pushimeve.

Ai ka pretenduar se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.

Përveç kësaj, Whelan ka akuzuar rojet e burgut për keqtrajtim.

Whelan ka qenë shef për siguri globale në një kompani amerikane që shet pjesë për makina, në kohën kur është arrestuar.

Ai dhe familjarët e tij insistojnë se ai ka vizituar Rusinë për të marrë pjesë në një dasmë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG