Gjykata Themelore e Prizrenit ka dënuar me 22 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare, Darko Tasiq.
Tasiq është akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.
"Të akuzuarin me iniciale D.T. gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin UNIK me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 22 (njëzetedy) vite në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 22.11.2017 deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit", është thënë në një komunikatë të Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Tasiq është shpallur fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ata dhe duke i hedhur në Lumin Drin.
Tasiq është shpallur fajtor edhe për akuzën që thotë se në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Republikës Federative të Jugosllavisë, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, Tasiq ka marrë pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.
Darko Tasiq pati mohuar fajësinë dhe është mbrojtur në heshtje.
Pjesë e këtij gjykimi më parë ka qenë edhe gazetari britanik John Sweeney, i cili ka bërë dokumentarin “Serb genocide against Albanians” – “Gjenocidi serb kundër shqiptarëve”.
Ai ka rrëfyer për masakrën në fshatin Krushë e Vogël, në gjykimin ndaj serbit të akuzuar Tasiq.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se "Gjykata Themelore në Prizeren ka shqiptuar një dënim shumë të vogël ndaj Darko Tasiq".
"Nuk pajtohemi me vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, që ka shqiptuar një dënim shumë të vogël për krimet mizore që ka kryer Tasiq në popullsinë civile shqiptare. Tasiq duhet ta marrë dënimin e merituar!", është thënë mes tjerash në reagim.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99, në Kosovë janë vrarë më shumë se 13,500 persona.