Ndërlidhjet

Lajçak: Një marrëveshje e mirë nuk mund të arrihet pa praninë e BE-së


Lajçak: Rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak tha se askush nuk mund t'i ofrojë të ardhme evropiane Kosovës, pos BE-së, andaj sipas tij, blloku evropian nuk mund të lihet anash nga procesi i bisedimeve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me takimin e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, të thirrur nga i dërguari i SHBA-së, Richard Grenell, Lajçak tha se ka dëgjuar për atë iniciativë, “por që ata nuk ishin këshilluar për të dhe nuk dua të komentoj iniciativat e të tjerëve”.

“Unë mendoj se kam qenë i qartë për rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Gjithashtu, dua të them që Shtetet e Bashkuara janë një partnere e rëndësishëm për ne dhe se historia ka dëshmuar se ne kemi qenë gjithmonë të suksesshëm kur kemi punuar së bashku, në të njëjtën kohë. Kosova është në Evropë dhe askush tjetër nuk mund t'i japë një të ardhme evropiane Kosovës përveç BE-së. Një marrëveshje e mirë është marrëveshje që e sjell Kosovën dhe Serbinë më afër Bashkimin Evropian dhe nuk mendoj se një marrëveshje e tillë mund të arrihet pa praninë e BE-së", tha Lajçak, duke shtuar se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duhet ta udhëheqë dialogun në emër të Kosovës.

I dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka ftuar delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Në një konferencë për media në Prishtinë, në ditën e fundit të vizitës së tij në Kosovë, Lajçak nuk dha asnjë datë se kur mund të rifillojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, duke shtuar data do të jetë publike, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Jam i kënaqur që dialogu i lehtësuar nga BE-ja është prioritet për qeverinë. Pres që dialogu të fillojë së shpejti. Javën e ardhshme vizitoj Beogradin dhe do të flas me presidentin Vuçiq që të dakordohemi dhe do të publikojmë një datë për rifillimin e dialogu. Duam të lehtësojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mandati im është normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha Lajçak.

Sipas tij, një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura.

Lajçak tha se për Kosovën dhe Serbinë, e ardhmja evropiane duhet të jetë motiv i mjaftueshëm që të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve.

I dërguari i posaçëm i BE-së foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke mos dhënë ndonjë datë se kur pritet të ndodhë kjo.

“Kosova meriton liberalizim të vizave, për mua nuk është pyetje a do të bëhet, por kur do të bëhet? Do të bëhet. Kosova është pjesë e Evropës, problemet tuaja janë problemet tona, suksesi juaj është suksesi ynë. E ardhmja juaj është evropiane. Rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes këtij dialogu”, tha Lajçak.

I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tha se ka pasur takime me të gjithë liderët politikë në Kosovë, duke shtuar se kanë qenë takime serioze dhe të dobishme.

Në këto takime, Lajçak tha se ka theksuar nevojën që Kosova të jetë e bashkuar në dialog.

Lajçak: Nuk e di nëse do të marr pjesë në takimin e 27 qershorit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Në tetor të vitit 2019, Shtëpia e Bardhë ka emëruar Richard Grenellin, si të dërguarin e saj për dialogun Kosovë-Serbi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG