Ndërlidhjet

Lajçak takon liderët e partive politike në Kosovë


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë, ka zhvilluar një takim me liderët e partive politike.

Ai është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Më vonë gjatë ditës, Lajçak u takua edhe më përfaqësuesit e partive të tjera parlamentare shqiptare.

Po ashtu, i dërguari i BE-së u takua edhe me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë në Kosovë.

"Kam biseduar me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse serbe si dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera në Kosovë, për të kuptuar plotësisht nevojat specifike dhe pritjet e tyre nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja", shkroi në një postim në Twitter Lajçak, pas takimeve me përfaqësuesit e komuniteteve.

Lajçak nuk ka folur para gazetarëve, derisa është bërë e ditur se të enjten do të mbajë një konferencë për media.

Të martën ai është takuar me presidentin Hashim Thaçi, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.

Me të ardhur në Prishtinë, ai ka deklaruar që "përparimi i Kosovës në rrugën evropiane bëhet vetëm përmes BE-së dhe ka paralajmëruar rinisjen e procesit të dialogut në Bruksel".

Lajçak ka arritur në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG