Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar të martën 141 raste të reja me koronavirus.
Kjo është shifra më e lartë me të infektuar me koronavirus brenda një dite në Kosovë, që prej se u regjistruan rastet e para me këtë virus më 13 mars.
Më së shumti raste në 24 orët e fundit, sipas njoftimit, janë regjistruar në Prishtinë, përkatësisht 42. Më pas vjen Komuna e Vushtrrisë me 30 raste, në Pejë janë regjistruar 18, në Mitrovicë 11 dhe disa komuna të tjera kanë nën dhjetë raste të reja me koronavirus.
IKSHPK po ashtu njofton se janë shëruar edhe pesë pacientë, duke çuar në 968 numrin e të shëruarve nga COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 1,756 raste, ku prej tyre, 34 pacientë kanë vdekur.