Ndërlidhjet

Zyra e BE-së: Lajçak nesër sjell data për rinisjen e dialogut


Mirosllav Lajçak.
Mirosllav Lajçak.

Bashkimi Evropian nuk ka pranuar që të komentojë njoftimin se më 27 qershor, Kosova dhe Serbia do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për dialogun, Richard Grenell.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhival tha se të martën në Prishtinë pritet të arrijë përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili, do të diskutojë për modalitetet rreth rinisjes së bisedimeve si dhe do të sjellë data për rinisjen e këtij procesi.

“Ne nuk komentojmë aktivitetet e të tjerëve. I dërguari i posaçëm Lajçak do të arrijë në Prishtinë nesër (e martë), për të diskutuar rreth modaliteteve dhe ai do të sjellë data për rinisjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që ka sjellë rezultate reale për njerëzit e Kosovës, që prej se ka nisur”, tha për REL, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhival.

Lajçak ishte paraparë që të arrinte të hënën në Prishtinë, por fluturimi nga Zvicra drejt Shqipërisë - prej ku më pas do të vinte në Kosovë - është anuluar.

Por, ndërkohë Grenell publikoi në Twitter se Kosova dhe Serbia do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. SHBA-ja emëroi Richard Grenell si të dërguar të saj në këtë proces në tetorin e vitit 2019.

Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Kosova vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë u pasua me reciprocitet, por në fillim të muajit qershor, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, me qëllim që t’i jepej shans rinisjes së dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG