Ndërlidhjet

Putini dhe Vuçiqi bisedojnë për Kosovën


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ai rus, Vladimir Putin. Foto nga arkivi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ai rus, Vladimir Putin. Foto nga arkivi.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë që Rusia do ta mbështesë Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe se është e qartë që asnjë vendim nuk do të mund të sillet pa Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është thënë në një komunikatë nga Presidenca e Serbisë.

Siç thuhet në komunikatë, Putini ka thënë që për Kosovën “do të bisedojë sy më sy me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në javën e ardhshme në Moskë”.

Vuçiqi do të jetë i pranishëm në Paradën e Fitores në Moskë, më 24 qershor, me të cilën do të shënohet 75-vjetori i fitores mbi fashizmin, ndërkaq që nga kabineti i presidentit Vuçiq është thënë që ai e ka falënderuar Putinin “për mbështetjen aktive të Rusisë për interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë, mbi parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe drejtësisë”.

Vuçiq, citohet t’i ketë thënë Putinit që është nder i madh për të që të marrë pjesë në Paradën e fitores “sepse krenohet me faktin që populli serb dhe ai rus, në Luftën e Dytë Botërore kanë qenë në anën e njëjtë liridashëse”.

“Prandaj, nuk ka detyrë më të rëndësishme se sa ruajtja e kujtimit për historinë e lavdishme dhe të vërtetës për luftën, e cila sjellë lirinë dhe paqen”, ka thënë Vuçiq, thuhet në komunikatë.

“Presidenti Putin ka konfirmuar që sërish do të vizitojë Serbinë, për të qenë i pranishëm në ceremoninë qendrore shtetërorë për shenjtërimin e tempullit të Shën Savës dhe ka theksuar që Rusia do t’i ndihmojë interesat e Serbisë dhe do t’i mbrojë interesat e Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë.

Vuçiq, siç është thënë, ka theksuar që Rusia “kontribuoi jashtëzakonisht shumë për përfundimin e tempullit më të madh ortodoks në Serbi, duke e bërë atë si një nga simbolet e afërsisë së dy shteteve dhe dy popujve”.

Gjithashtu, temë e bisedimit ndërmjet Vuçiqit dhe ati Putinit ka qenë edhe vizita e ardhshme e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, në Beograd, e cila është planifikuar për ditën e enjte, më 18 qershor, tre ditë para zgjedhjeve në Serbi.

“Fakti që për vizitën e parë jashtë shtetit, pas pushimit të detyruar të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, e ka zgjedhur vendin tonë, për ne është edhe një konfirmim i marrëdhënieve më të afërta dhe miqësore, si dhe të partneritetit të jashtëzakonshëm strategjik”, ka thënë Vuçiq.

Në fund të komunikatës, është theksuar që edhe Putin “ka shprehur besimin për fitoren e listës, të cilës, në zgjedhjet e ardhshme, i prin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG