I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak nuk do të arrijë në Prishtinë të hënën, siç është paralajmëruar nga zyra e BE-së në Kosovë, sepse i është anuluar fluturimi, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burimet e saja.
Sipas informatave, Lajçak me delegacionin e tij gjendet në Cyrih të Zvicrës, prej ku ishte planifikuar që të udhëtonte drejt Tiranës, e më pas në Prishtinë.
Nga Zyra e BE-së në Kosovë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se fluturimi i Lajçakut është anuluar.
Megjithatë, ata thanë se po punohet që Lajçak të arrijë në Prishtinë të martën, që të bisedojë me krerët institucional për rifillimin e shpejt të dialogut.
“Fatkeqësisht, fluturimi i zotit Lajçak nga Cyrihu është anuluar. Ne po punojmë që të sigurohemi që ai të vijnë në Kosovë sa më parë që është e mundur. Lajçak është i përkushtuar që të jetë në Kosovë nesër (e martë). Sapo të arrijë, ai do të takohet me bashkëbiseduesit e tij për të biseduar për kohën dhe modalitetet për një rifillim të shpejt të dialogut”, tha për REL, zyra e BE-së në Kosovë.
Vizita e paralajmëruar e Lajçakut në Kosovë, pritej që të zgjaste deri të enjten, më 18 qershor.
Lajmi për shtyrjen e vizitës së Lajçakut në Prishitinë vjen në ditën kur Shtëpia e Bardhë, përmes të dërguarit të saj për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, bëri të ditur se Kosova dhe Serbia do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Lajçak u emëruar afro tre muaj më parë si përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja dhe SHBA-ja po inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen dialogut, me qëllim që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.