Ndërlidhjet

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, më 15 korrik


Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, foto nga arkivi.
Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, foto nga arkivi.

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut janë marrë vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 15 korrik.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, pas një takimi që kishte pasur me liderin e opozitës, Hristijan Mickovski.

“Që të mos vuajë populli dhe t’i mundësohet Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së që të tregojnë përgjegjësinë e tyre në vepër, 15 korrikun e përcaktojmë si datë përfundimtare dhe të vetme për mbajtjen e zgjedhjeve në të cilin do të marrë pjesë pozita. Sot përsëri kam biseduar me Mickoskin dhe ai më konfirmoi se pajtohet që të marrë pjesë në zgjedhje më 15 korrik. Kërkuan mesin e korrikut, ja mesi i korrikut, 15 korrik, e mërkurë, ditë jopune për të gjithë qytetarët që të mbahen zgjedhjet”, ka deklaruar Zaev.

Marrëveshjen e ka konfirmuar edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

“Dy kushtet që kërkuam u pranuan. Së pari protokollet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, së dyti misionin e OSBE/ODIHR-së për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve. Maqedonia është në një situatë të keqe, është sulmuar fuqishëm pavarësisht krizës ekonomike dhe të fortë shëndetësore. Që të ndalet e gjithë kjo, ka një rrugëdalje, dhe kjo është humbja bindëse në zgjedhje e Zaevit dhe LSDM-në”, ka shkruar Mickovski në një postim në Facebook.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se konsensusi i arritur për datën e zgjedhjeve, ka evituar krizën politike që rrezikonte vendin.

“Ftojmë të gjitha institucionet e vendit të përgatisin të gjitha protokollet për mbrojtje maksimale të shëndetit të qytetarëve gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhej të mbaheshin më 12 prill, por ishin anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Gjatë kësaj periudhe, vendi ka funksionuar pa parlament, por me qeveri teknike e cila pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme kishte të drejtën e miratimit të vendimeve me fuqi ligjore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG