Shumica e qytetarëve të Kosovës e përkrahin arritjen e një marrëveshjeje finale midis Kosovës dhe Serbisë, tregon një hulumtim i bërë nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).
Hulumtimi është publikuar të martën dhe ka për bazë 1,107 të anketuar; prej tyre 90 për qind shqiptarë, 8 për qind serbë dhe 2 për qind të komuniteteve të tjera.
Sipas hulumtimit, 92 për qind e shqiptarëve dhe 64 për qind e serbëve thonë se duhet të bëhet çdo përpjekje për arritjen e marrëveshjes finale, ndërsa 66 për qind e shqiptarëve dhe 49 për qind e serbëve e mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve
Ky dialog ka nisur qysh në vitin 2011. Por, procesi është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.
Anketa e RIDEA-s është realizuar në 38 komuna të shtatë rajoneve kryesore në Kosovë: Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë - Veri dhe Jug.