Ndërlidhjet

Qeveria miraton lehtësimin e masave kundër COVID-19


Foto nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.
Foto nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të dielën, ka miratuar disa masa lehtësuese të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se nga e hëna (8 qershor), qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore, do t’u merren të dhënat, që më pas Qendrat e Mjekësisë Familjare, në komunat përkatëse do të monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore.

Zemaj tha se me këto veprime do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave, veçanërisht e qytetarëve që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Ai po ashtu kërkoi që të rritet numri i inspektorëve, të cilët do të monitorojnë nëse qytetarët, bizneset dhe institucionet e tjera, po respektojnë rekomandimet për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Po ashtu, nga 8 qershorit, Qeveria e Kosovës vendosi që të heqë orarin e kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Ministri Zemaj tha se këto lehtësime të masave po bëhen pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Në vendimin e ri, është përfshirë edhe përpilimi i një manuali për mbrojtjen nga COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi), për të gjitha veprimtaritë publike, në mënyrë që të ketë specifika se si ato të veprojnë, në mënyrë që të mos rrezikojnë shëndetin publik.

Kryeministri Avdullah Hoti po ashtu kërkoi “rekrutimin e 200 specialistëve shëndetësorë”, që të mbikëqyrin zbatimin e këtij udhëzuesi.

Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi njoftoi se do të nisë konsultimet me Autoritetin e Aviacionit Civil, për të parë mundësinë e rinisjes së transportit ajror. Ai tha se do të konsultohet me kompanitë ajrore dhe do të shikojnë edhe praktikat e vendeve të tjera, për të parë se si mund të bëhet rinisja e fluturimeve.

Nga 1 qershori, në Kosovë janë lehtësuar edhe më tej masat kufizuese të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ku janë lejuar rihapja e shumë veprimtarive, përfshirë sektorin e gastronomisë, si dhe janë rihapur kufijtë tokësorë.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë u regjistruan më 13 mars. Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,194 raste me koronavirus, ku 884 pacientë janë shëruar dhe 31 kanë vdekur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG