Ndërlidhjet

MCC rifillon programet e ndihmës për Kosovën


Flamuri i SHBA-së dhe i Kosovës.
Flamuri i SHBA-së dhe i Kosovës.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), ka mirëpritur shfuqizimin e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe ka njoftuar për rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, MCC tha se mirëpret vazhdimin e partneritetit me Qeverinë e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të tarifave dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC do të rinisë zbatimin e programeve në Kosovë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me popullin dhe Qeverinë e Kosovës, në punën tonë të përbashkët për të zbutur varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në njoftim.

Pas njoftimit të MCC-së për zhbllokimin e fondeve për Kosovën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se partneriteti me Uashingtonin është rruga e "vetme që çon drejt një të ardhmeje të sigurt për Kosovën, në paqe e prosperitet për gjithë".

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mirëpriti vendimin e MCC-së për të zhbllokuar vondet për Kosovën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e MCC-së për zhbllokimin e fondeve dhe rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit në Kosovë”, tha Hoti përmes një postimi në Twitter.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit kishte njoftuar në mars për pezullimin e programeve në Kosovë, për shkak se në fuqi ishin ende tarifat kundër mallrave serbe, ndonëse SHBA-ja vazhdimisht kishte bërë thirrje për heqjen e tyre. Vlera e një programi që MCC-ja pezulloi në muajin mars, kapte shifrën prej 50 milionë dollarësh.

Qeveria e Kosovës të shtunën vendosi për shfuqizimin e masës së reciprocitetit me Serbinë, që kishte hyrë në fuqi në prill të këtij viti.

Largimi i taksës 100 për qind, por edhe më pas të reciprocitetit, vazhdimisht është kërkuar nga SHBA-ja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG