Ndërlidhjet

Maqedonia e V. rikthen orën policore pas shtimit të rasteve me COVID-19


Në Maqedoninë e Veriut pas masave lehtësuese të enjten është kthyer ora policore përkatësisht izolimi i plotë i shumë qyteteve, përfshi këtu dhe kryeqendrën e vendit Shkupin për shkak të rritjes së numrit të të të prekurve me koronavirus, si rrjedhojë e mosrespektimit të masave për frenimin e përhapjes së virusit të ri.

Më shumë se gjysma e shtetit ku bën pjesë Shkupi, Tetova, Kumanova dhe Shtipi, ora policore fillon të enjten në ora 21:00 dhe e njëjta do të zgjas deri të hënën në ora 5:00 të mëngjesit kurse për pjesën tjetër, ora policore do të jetë vetëm 13 orë brenda ditës përkatësisht nga ora 16:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit gjatë të premtes, shtunës dhe të dielës.

Maqedonia e Veriut ditëve të fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të të infektuarve me koronavirus duke tejkaluar 100-shin.

Të enjten brenda 24 orëve janë shënuar 120 raste të reja të të infektuarve me COVID-19.

Kjo shifër shënon edhe rritjen më të madhe e të prekurve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut nga shënimi i rastit të parë në vend.

Organet e shëndetësisë thonë se numri i madh i të infektuarve është si rrjedhojë e tubimeve familjare, mosrespektimit të masve mbrojtëse nga ana e qytetarëve si dhe mosveprimi i organeve të sigurisë ndaj atyre që shkelnin masat e qeverisë për mbrojtje nga koronavirusi.

Ali Pajaziti, sociolog, për Radion Evropa e Lirë thotë që neglizhenca e qytetarëve për të respektuar masat buron nga sjellja jo e përgjegjshme e udhëheqësve politikë dhe atyre fetarë të vendit.

“Politikanët dhe klerikët deshën që të poentojnë nga adhurimet, gjegjësisht nga feja dhe nga festat dhe me këtë rrënuan të themi atë mitin real që ishte lidhur me këtë sëmundje, ose traumë të madhe globale".

Kështu që popullata e humbi atë distancën që e kishte gjatë muajve të parë përball koronavirusit, dhe u mendua se u fitua lufta, në fakt u fitua vetëm një betejë, por lufta vazhdon dhe ky fakt mendoj se duhet mbjellë në kokë të qytetarëve”, thotë Pajaziti.

Ndërkaq, Mirjana Najçevska aktiviste për të drejtat e njeriut e cila është ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Shkupit, për Radion Evropa e Lirë shprehet se nuk beson se dënimet mund të disiplinojnë atë kategori të qytetarëve që shkelin masat e propozuara nga qeveria për mbrojtje nga koronavirusi.

Najçevska thekson se qytetarët kanë humbur besimin tek institucionet e shtetit dhe nevojitet një fushatë gjithëpërfshirëse nga ana e ekspertëve të lëmisë së shëndetësisë për të shpjeguar rrezikun nga koronavirusi.

“Qytetarët nuk u besojnë institucioneve, dhe këtë realitet tani nuk mund ta ndryshojmë brenda dy tre ditësh ose javësh prandaj çfarëdo lloj politike e cila do të ndërtohet nga ana e qeverisë duhet të niset nga ky pozicion, pra ajo se qytetarët nuk u besojnë institucioneve".

Duhet gjetur një mënyrë tjetër për t'ua prezantuar qytetarëve rreziqet që sjell infeksioni nga koronavirusi që të fillojnë me seriozitet t'u qasen rekomandimeve përkatësisht të respektojnë masat mbrojtëse nga koronavirusi".

"Problem tjetër është dhe ajo se qëndrimet e autoriteteve të shtetit që në fillim ishin në shumë aspekte kontradiktore pastaj këtu duhet shtuar si shumë problematike dhe qasjen e policisë e cila ishte shumë e ndryshme për grupe të caktuara", thotë Najçevska.

Ndërkohë mjekët kanë shtuar apelet për respektimin e plotë të masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Fadil Cana nga Klinika Universitare për Sëmundje Infektive, për Radion Evropa e Lirë thotë se disiplina dhe përgjegjshmëria mbeten arma më e fuqishme për të parandaluar shtrirjen e virusit të ri Covid-19.

“Të gjithë duhet të kujdesen që me përpikshmëri të respektohen masat që rekomandojnë organet e shëndetësisë sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuojmë që numri i rasteve me koronavirus të shënojë rënie", thotë Fadil Cana, mjek infektolog.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG