Ndërlidhjet

Thaçi vlerëson se është hapur rruga për formim të qeverisë së re


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të hënën, në një konferencë për media, se ka pranuar vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së mandatarit për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga kjo Gjykatë që të vlerësonte kushtetueshmërinë e vendimit të Thaçit për të mandatuar Avdullah Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë.

Gjykata i ka dhënë të drejtë vendimit të presidentit të Kosovës.

Teksa ka komentuar aktgjykimin e Kushtetueses, Thaçi ka thënë:

“Tani është hapur rruga për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Shpresoj se do të jetë kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim”.

Sipas tij, Kosova tani duhet të marrë dy hapa urgjentë: të vazhdojë kujdesin në përballjen me pandeminë, dhe që qeveria e re të prezantojë planin për rimëkëmbje ekonomike.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në kuvend nënshkrimet për thirrjen e seancës në të cilën pritet të votohet qeveria e re.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se ka kërkuar thirrjen e seancës së kuvendit për të mërkurën në ora 11:00.

“Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, ka deklaruar Gashi në një konferencë për media.

Gashi ka thënë se janë dakorduar edhe me partnerët e koalicionit dhe se është shprehur i bindur se LDK-ja i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

Kujtojmë se diskutimet për qeveri të re kanë nisur pas rrëzimit të qeverisë, tashmë në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti, përmes një mocioni të organizuar nga LDK-ja.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG