Të hënën në Kosovë do të hyjë në fuqi faza e tretë e lehtësimit të masave që janë vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se që nga dita e hënë, do të hapen kufijtë tokësorë të Kosovës.
"Shfuqizohet vendimi për mbylljen e kufijve të Kosovës, por të gjithë personat obligohen t'iu nënshtrohen kontrollave mjekësore në kufi dhe t'i zbatojnë masat kundër Covid-19", tha Kurti gjatë një konference për media së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ministria Vitia tha se do të hapen këto pika kufitare: Merdare, Vërmicë, Kullë Hani Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë.
"Të gjithë personat që hyjnë dhe posedojnë rezultat negativ të testit COVID-19 jo më të vjetër se katër ditë, nuk i nënshtrohen procedurave të vetizolimit. Kurse ata që nuk e kanë testin detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë", tha ai.
Pas një jave, sipas ministrit Vitia, do të bëhet vlerësimi për mundësinë e hapjes së kufijve ajror.
Në kuadër të lehtësimit të masave, qeveria në detyrë ka marrë vendim që të lejojë rihapjen e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare, nga dita e hënë.
"Nga dita e hënë, do të rihapen çerdhet dhe kopshtet për moshat 0 deri 5 vjet, zyrtarët publik do të kthehen në punë në të gjitha institucionet dhe do të lejohen shërbimet e taksive", tha Vitia.
Sipas tij, vendimet janë marrë duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili ka vlerësuar se "ekziston një rrezik i reduktuar nga pandemia".
Deri më tani autoritetet e Kosovës kanë raportuar për 1,070 persona të infektuar me koronavirus.
Prej tyre, 30 persona kanë vdekur.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.
Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik dhe kanë vendosur disa masa kufizuese, përfshirë mbylljen e shkolllave dhe të bizneseve, por të cilat kanë nisur të hiqen gradualisht nga data 4 maj.
Faza e dytë e masave të lehtësimit kishte hyrë në fuqi më 28 maj.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse si: maskat, ruajtja e distancës dhe kujdesi i shtuar i higjienës, duhet të praktikohen nga qytetarët.