Ndërlidhjet

Thaçi: Kurti po e cenon partneritetin me SHBA-në dhe BE-në


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë.

"Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.", ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social Facebook.

Vendimi i së shtunës në mbrëmje, i qeverisë në detyrë të Kosovës, për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë, ka nxitur reagime edhe të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se këto veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi ndaj këtyre kundërshtimeve duke shkruar në rrjetin social Facebook, se"refuzimi i parimit të reciprocitetit është mohim i ushtrimin të të drejtave sovrane të Kosovës".

Heqja e masave të reciprocitetit është kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara, pasi kanë thënë se ato paraqesin pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit. Mirëpo, Serbia ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa u shfuqizuar të gjitha masat, përfshirë reciprocitetin.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG