Mosrespektimi i masave kufizuese ka çuar në rritjen e rasteve të reja të prekura me koronavirusin e ri që shkakton sëmundjen COVID-19.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të prekurve ka arritur në mbi 2,100 persona ndërsa i viktimave në 125, deri ditën e premte. Sa i përket të infektuarve, numri më i madh është në Çair, Saraj dhe Gazi Babë, komuna këto që janë në kuadër të qytetit të Shkupit.
Paraqitja e rasteve të reja vjen pas lehtësimit të masave dhe mosrespektimit të tyre në tre javët e fundit.
“Tani ndodhemi para dy sfidave të mëdha, që të mësohemi me respektimin e masave për mbrojtjen e shëndetit, që janë parakusht për stabilizimin e gjendjes, ose me mos respektimin e masave të rrezikojmë kthimin e tyre të serishëm. Deri tani kishim sukses në përballjen me virusin, andaj edhe ndërmorëm veprime për normalizimin e gjendjes, por masat për mbrojtje personale mbeten në fuqi dhe ato duhet të respektohen”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe.
Apele për kujdes kanë bërë edhe drejtuesit e komunave të Shkupit duke kërkuar kujdes nga qytetarët.
“Jam i vetëdijshëm për durimin e harxhuar dhe dëshirën për t’iu kthyer realitetit, megjithatë rreziku ende ekziston dhe mundësia për të tu infektuar ende është në masë të konsiderueshme. Prandaj, le të bëhemi shembull i mirë i kësaj ngjarjeje dhe e kundërta. Të respektojnë masat e domosdoshme deri në eliminimin e virusit”, ka deklaruar Visar Ganiu, kryetari i komunës së Çairit në Shkup.
Ministria e Punëve të Brendshme ndërkohë ka dalë me të dhëna mbi numrin e personave që nuk kanë respektuar masat që nga fillimi i aplikimit të orës policore e deri në heqjen e saj.
“Që nga vendosja e masave kufizuese e deri në heqjen e tyre më 27 maj, gjithsej 4,783 persona nuk e kanë respektuar vendimin kufizimin e lëvizjes. Prej tyre, policia ka arrestuar 3,110 persona ndërsa kundër 2,632 personave janë ngritur padi penale ndërsa kundër të tjerëve procedura kundërvajtëse. Numri më i madhe i shkeljeve janë bërë në qytetin e Shkupit dhe të Manastirit. Masa janë ndërmarrë edhe kundër personave që nuk kanë respektuar masën e izolimit dhe vet izolimit dhe gjithsej MPB-ja ka ngritur 125 padi penale. Policia ka vepruar edhe në rastet e shkeljes së masave për mbrojtje, apo mos mbajtjes së maskave dhe distancës fizike dhe për shkak të kësaj shkelje janë gjobitur me para 1973”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev.
Ai ka thënë se policia në përgjithësi ka qenë në krye të detyrës, por edhe mund të ketë pasur lëshime ashtu siç ka edhe nga institucione tjera.
Kreu i policisë ka thënë se pavarësisht lehtësimit të masave, qytetarët duhet të ketë kujdes pasi virusi ende është i pranishëm dhe dëshmi për këtë është paraqitja e rasteve të reja.
“Ne nuk duhet të harrojmë se virusi ende është i pranishëm në vendin tonë dhe deri sa të jetë këtu ne nuk do të mund të kthehen krejtësisht në gjendje normal andaj bëjë thirrje për kujdes maksimal dhe respektimin e masave mbrojtëse”, ka deklaruar Qulev.