Ndërlidhjet

Sulejman Rexhepi shkarkohet nga posti i kryemyftiut të Maqedonisë së V.


Sulejman Rexhepi
Sulejman Rexhepi

Këshilli i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut shkarkoi të mërkurën kryetarin e këtij institucioni, Sulejman Rexhepi.

Në deklaratën e lexuar nga myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu, thuhet se Rexhepi u shkarkua nga detyra për shkak të shkeljes së Kushtetutës së BFI-së, respektivisht nenit 36.

Në këtë nen, veç tjerash, thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij janë në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI-së, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI-së, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.

Vendimi për shkarkimin e Rexhepit vjen pas një sërë veprimesh nga ai, që kanë nxitur reagime në opinionin e gjerë, përfshirë edhe për aktin personal të martesës.

Veç kësaj, reagime të shumta në opinion ka shkaktuar edhe një prononcim i Rexhepit gjatë Festës së Bajramit, këtë javë, kur ka thënë se koronavirusi është i vdekur.

“Nga sot, sëmundjen COVID-19 [që e shkakton koronavirusi] e shpall të vdekur. Zoti është me ne dhe kur Zoti është me ne, ne jemi më të fuqishëm”, ka deklaruar Rexhepi.

Kjo deklaratë u kundërshtua ashpër nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore, të cilët kërkuan kujdes nga vlerësimet e tilla, pasi, sipas tyre, mund të kenë pasoja të rënda në opinion.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të BFI-së u vendos që postin e kryetarit të këtij institucioni ta ushtrojë myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG