Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se ka pezulluar përkohësisht testimin klinik të hidroksiklorinës si një trajtim i mundshëm për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Vendimi u mor pas një publikimi në revistën mjekësore The Lancet, javën e kaluar, ku thuhej se përdorimi i ilaçit te pacientët me COVID-19 mund t’i rrisë shanset e tyre për të vdekur, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Në një konferencë virtuale për media, ai tha se i ashtuquajturi Testim i Solidaritetit – ku qindra spitale të vendeve të ndryshme të botës kanë ndarë pacientë për të testuar lloje të ndryshme të trajtimeve për koronavirus – ka pezulluar trajtimin e hidroksiklorinës.
Tedros tha se pezullimi do të vlejë derisa të rishikohen të dhënat.
Hidroksiklorina përdoret normalisht për të trajtuar artritin, por deklaratat e figurave publike, si ato të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë javën e kaluar se po e merr ilaçin, kanë nxitur qeveritë që të blejnë hidroksiklorinë me shumicë.
Ministri i Shëndetësisë në Brazil rekomandoi gjithashtu javën e kaluar përdorimin e hidroksilkorinës, si dhe të klorinës kundër malaries, për trajtimin e rasteve me COVID-19.
Por, studimi i Lancet zbuloi se të dyja ilaçet mund të prodhojnë efekte të mundshme anësore, sidomos aritmi të zemrës.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.