Arabia Saudite trefishoi tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), për të ndihmuar ekonominë e goditur nga koronavirusi.
TVSH-ja do të rritet nga 5 për qind në 15 për qind, ndërsa kostoja e ndihmës për jetesë do të pezullohet nga 1 qershori, raportoi media shtetërore.
Ndihma prej rreth 260 dollarësh në muaj për punëtorët e shtetit ka nisur të zbatohet në vitin 2018.
“Këto masa janë të dhimbshme, por të nevojshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe ekonomik në afat të mesëm dhe të gjatë, si dhe për të kapërcyer krizën e paparë të koronavirusit me dëmet më të vogla të mundshme”, tha ministri i Financave, Mohammed al-Jadaan.
Njoftimi erdhi pasi shpenzimet shtetërore në Arabinë Saudite i tejkaluan të ardhurat, duke e shtyrë këtë vend në një deficit buxheti prej 9 miliardë dollarësh, në tre muajt e parë të vitit.
Kjo, pasi që të ardhurat nga nafta në këtë periudhë kanë rënë me gati një çerek krahasuar me një vit më parë.
Pandemia e koronavirusit dhe kufizimet që ka shkaktuar ajo kanë bërë që kërkesat për naftë të zvogëlohen dhe, rrjedhimisht, çmimet e naftës të bien në nivele rekorde në gjithë botën.
Arabia Saudite ka raportuar mbi 41,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 255 viktima.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.