Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), iu bëri thirrje liderëve institucionalë e politikë të Kosovës, të përmbahen nga diskursi përçarës politik, i cili mes tjerash, sipas OEAK, ka ndikim negativ në tërheqjen e investimeve të huaja.
Në një deklaratë dërguar mediave, OEAK thekson që institucionet e vendit duhet të shfaqin vullnet të fuqishëm dhe angazhim serioz për arritjen e një stabiliteti të përgjithshëm edhe në kontekst të brendshëm, por edhe në raport me shtetet fqinje.
“Stabiliteti politik është kyç për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë aspekt, Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me diskursin përplasës gjithnjë e në rritje ndërmjet akterëve politikë në Kosovë, në një kohë kur vendi duhet të demonstrojë stabilitet jo vetëm për të avancuar agjendën zhvillimore, por edhe për të menaxhuar situatën e krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID19”, thuhet në një deklartë të OEAK, dërguar mediave.
Oda Amerikane rikujton se çfarëdo akti i dhunës, do të rëndonte mbi imazhin edhe ashtu jo të mirë të vendit para investitorëve të huaj, aq shumë të nevojshëm për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.
Kosova është futur në një krizë politike pas votimit në Kuvend më 25 mars të mocionit të mosbesimit të qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.