Ndërlidhjet

Pompeo: Ekzistojnë prova se virusi doli nga laboratori kinez


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se ekziston "një numër i konsiderueshëm i provave" që dëshmojnë se koronavirusi i ri doli nga një laborator kinez.

Sidoqoftë, Pompeo nuk e kontestoi vlerësimin e agjencive të inteligjencës amerikane që virusi nuk ishte i krijuar nga njeriu.

Si Pompeo, ashtu edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë kritikuar ashpër Kinën, duke akuzuar për mungesë të transparencës.

"Ka një sasi të konsiderueshme të provave që virusi doli nga ai laboratori në Vuhan" i tha Pompeo stacionit televiziv amerikan ABC më 3 maj.

Koronavirusi i ri u paraqit për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar. Deri më tani nga sëmundja COVID-19 që e shkakton koronavirusi kanë vdekur më shumë se 247,000 njerëz në të gjithë botën, përfshirë më shumë se 67,000 në Shtetet e Bashkuara.

"Ekspertët më të mirë deri më tani, duket se mendojnë se ishte bërë nga njeriu. Unë nuk kam asnjë arsye të mos besoj se në këtë pikë", ka thënë Pompeo.

Kur u pyet lidhur me vlerësimin e agjencive të inteligjencës amerikane, se virusi nuk është bërë nga njeriu, Pompeo u tërhoq duke thënë "Unë e kam parë atë që ka thënë komuniteti i inteligjencës. Nuk kam asnjë arsye të besoj se ata kanë gabuar".

Raporti i 30 prillit nga zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare thoshte se pajtohej me "konsensusin e gjerë shkencor" se sëmundja nuk ishte e krijuar nga njeriu.

Pompeo akuzoi Kinën për bllokimin e hyrjes së hetuesve ndërkombëtarë në laboratorët kinezë.

"Ne po mundohemi të dërgojmë një ekip atje, Organizata Botërore e Shëndetësisë po përpiqet të ketë një ekip atje", tha Pompeo, duke shtuar se "askush nuk lejohet të shkojë në këtë laborator [Vuhan] ose ndonjë laborator tjetër".

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për sqarim të komenteve të Pompeos.

Kina i ka mohuar akuzat duke thënë se SHBA-ja nuk kishte asnjë provë që virusi doli nga laboratori në Vuhan.

Presidenti Trump tha më 30 prill se ai ishte i sigurt se virusi mund të ketë origjinën në një laborator kinez të virologjisë, por ai nuk pranoi të paraqesë më shumë detaje.

Disa zyrtarë amerikanë, kanë thënë se besojnë se virusi ose u është transmetuar tek njerëzit përmes kontaktit me kafshët e egra në një treg mishi në Vuhan, ose mund të dalë aksidentalisht nga një prej dy laboratorëve në Vuhan që besohet të jenë të përfshirë në kërkimet civile për rreziqet e mundshme biologjike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG