Ndërlidhjet

Shqipëri: Arrestohet i dyshuari për terrorizëm nga Taxhikistani


Pjesëtarë të Policisë së Shqipërisë. Foto nga arkivi.
Pjesëtarë të Policisë së Shqipërisë. Foto nga arkivi.

Autoritetet e sigurisë së Shqipërisë kanë arrestuar një 24-vjeçar nga Taxhikistani, që dyshohet se është pjesëtar i organizatës terroriste, Shteti Islamik (IS).

Drejtoria e Antiterrorit në Shqipëri në bashkëpunim me Interpol Tirana ka vënë në pranga qytetarin taxhik me qëllim ekstradimi.

Policia e Shtetit bëri të ditur se ai është i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i kërkuar në Gjermani.

“Drejtoria e Antiterrorit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe kapjen e personave me tendenca terroriste apo pjesëtarë të organizatave terroriste, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacionit me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar ‘Vizitori’”, bëri të ditur Policia.

Sipas informatave të dhëna nga autoritetet, thuhet se në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi, për qëllime ekstradimi, i shtetasit të huaj K. Z., 24 vjeç.

“Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale ‘Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste’ i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të Shtetit Islamik (IS)”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Po ashtu, në njoftimin për media u tha se materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi për në Gjermani.

Personi i arrestuar dyshohet të jetë pjesë e një grupi të organizuar, pesë persona prej të cilit u arrestuan në Gjermani nën dyshimet se ishin duke planifikuar sulme ndaj bazave ushtarake amerikane dhe individëve kritikë ndaj fesë islame.

Ai besohet të ketë hyrë në Shqipëri përmes aeroportit ndërkombëtar “Nëna Terezë” të Rinasit në mes të muajit shkurt, dhe ka qëndruar i strehuar te persona të tij të afërt, po ashtu nga Taxhikistani.

Prokurorët gjermanë thanë që katër prej të dyshuarve - të gjithë nga Taxhikistani - u arrestuan më 15 prill. I dyshuari i pestë, gjithashtu shtetas taxhik, që besohet të jetë drejtuesi i kësaj celule terroriste, ishte tashmë në paraburgim që nga muaji mars i vitit 2019. Burrat janë të gjithë të moshës midis 24 dhe 32 vjeç, dhe erdhën në Gjermani si refugjatë.

“Këta persona iu bashkuan Shtetit Islamik (IS) në janar të vitit 2019 dhe u udhëzuan nga grupi terrorist të krijonin një celulë të organizatës në Gjermani”, thanë prokurorët.

Të dyshuarit raportohet se së pari kishin planifikuar të kryenin një sulm në Taxhikistan, por më vonë e zhvendosën objektivin e tyre në Gjermani, përfshirë bazat e forcave ajrore amerikane në vend dhe një person që ata e konsideruan kritik ndaj islamit.

"Synimet për sulmet supozohej të ishin institucione të forcave amerikane në Gjermani apo edhe njerëz individualë", thanë prokurorët në një deklaratë.

Ata shtuan se edhe pse sulmet nuk ishin planifikuar për të ardhmen e afërt, grupi kishte në posedim armë zjarri dhe municion, si dhe udhëzime nga interneti për krijimin e një bombe.

Sipas të dhënave paraprake, flitej se për të ndihmuar në financimin e planeve për terrorizëm, drejtuesi i këtyre qytetarëve taxhikë Ravshan B., dhe një tjetër i dyshuar udhëtuan në Shqipëri për të kryer një kontratë prej 40,000 dollarëshe për një vrasje në Shqipëri, por operacioni nuk pati sukses dhe ata u kthyen në Gjermani.

Të gjithë personat e dyshuar besohet se kanë qenë në kontakt me dy figura të nivelit të lartë të IS-it në Siri dhe Afganistan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG