Ndërlidhjet

Moska i konsideron shpifje raportimet e një mediumi çek rreth një komploti


Rusia e ka konsideruar shpifje raportimin e një mediumi çek rreth supozimeve për një komplot të helmimit të zyrtarëve të Pragës, duke përfshirë edhe kryetarin e kryeqytetit të Çekisë, Zdenek Hrib ndërkohë që agjencitë çeke të kundërzbulimit kanë refuzuar që të komentojnë këto pretendime.

Revista hulumtuese çeke Respekt, ka raportuar më 26 prill se një zyrtar rus i inteligjencës ka udhëtuar në Pragë rreth tri javë më parë me një valixhe me substancën vdekjeprurëse ricin. Aty janë cituar burime të sigurisë çeke duke thënë se shënjestra e helmimit ka qenë kryetari i Pragës, Zdenek Hrib.

Këto raportime vijnë në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Pragës dhe Moskës, dhe dyshimeve se Rusia ka qenë mbrapa valës së fundit të sulmeve kibernetike në Republikën Çeke.

Megjithatë, Rusia ka pretenduar se ka qenë viktimë dhe jo Republika Çeke, e një fushate të dezinformimit.

Ambasada ruse në Pragë ka thënë se “kundërshton shpifje të këtilla”.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ambasada ka thënë se i ka dërguar një shkresë Ministrisë së Jashtme të Çekisë duke theksuar ato që ka pretenduar se janë “sulme jopërmbajtësore ndaj Rusisë dhe ambasadës në Pragë”.

Kryetari i Pragës Hrib dhe kryetari i rajonit të gjashtë të Pragës, Ondrej Kolar kanë konfirmuar se janë nën mbrojtje policore për shkak të kërcënimeve të paspecifikuara.

Hrib ka qenë mbështetës i madh i vendimit të marrë dy muaj më parë për riemëruar sheshin para ambasadës ruse, në emër të ish zëvendëskryeministrit rus, Boris Nemtsov, i cili është vrarë më 2015 afër Kremlinit.

Ai ka qenë kritik i madh i presidentit rus, Vladimir Putin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG