Ndërlidhjet

Koronavirusi zbraz arkat e xhamive


Porta e mbyllur e Xhamisë Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë. BIK ka urdhëruar që të gjitha ritet fetare të kryhen pa praninë e besimtarëve për shkak të COVID-19.
Porta e mbyllur e Xhamisë Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë. BIK ka urdhëruar që të gjitha ritet fetare të kryhen pa praninë e besimtarëve për shkak të COVID-19.

Ndalimi i tubimeve fetare nëpër xhamitë e Kosovës ka bërë që këto të fundit të përballen me vështirësi financiare. Tubimet janë ndaluar në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Besimtarët myslimanë në Kosovë, paguajnë për anëtarësi në Bashkësinë Islame të Kosovës nga 3 deri në 4 euro në vit, për një anëtar të familjes. Nga kjo pagesë janë të liruara vetëm rastet sociale.

Anëtarësia mund të paguhet në këshillat e Bashkësisë Islame, por në raste më të rralla mund të kryhet edhe përmes inkasantëve, të cilët paratë i mbledhin duke trokitur nga dera në derë.

Gjithashtu, pagesa mund të bëhet edhe tek imami i xhamisë më të afërt, i cili posedon një bllokun të lëshuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame i komunës përkatëse.

Një masë e konsiderueshme besimtarësh japin kontribute edhe në formë donacionesh, kur shkojnë në xhami për të kryer ritet fetare.

Kriza rreth koronavirusit të ri ka bërë që Këshillat e Bashkësisë Islame në Kosovë, të kenë probleme financiare.

Imami i xhamisë “Bedri Kamberi”, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe xhamia e tij është duke u përballur me problemin e njëjtë. Ai tregon se besimtarët që falen në këtë xhami, kontribuojnë në mirëmbajtjen e xhamisë.

“Tani arkat e xhamisë nuk mbushen nga besimtarët e rregullt për shkak se xhamitë janë mbyllur si rezultat i pandemisë, por kontributi i donatorëve është i vazhdueshëm edhe gjatë kësaj kohe”, thotë Maliqi, duke shpresuar që kjo gjendje të mos vazhdojë gjatë.

Me gjithë vështirësitë, imami bën thirrje te të gjithë besimtarët që “t’i kryejnë obligimet fetare individualisht, duke zbatuar të gjitha masat dhe rekomandimet që vijnë nga organet shëndetësore, shtetërore dhe fetare”.

Falja në xhami pa besimtarë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Krizën financiare për shkak të mospagesës së anëtarësisë dhe donacioneve nga besimtarët, e pranojnë edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Islam Hasani, drejtor financiar në BIK, thotë për Radion Evropa e Lirë se COVID-19 ka ndikuar në të hyrat e këshillave të Bashkësisë Islame anembanë vendit.

“Në shumicën e këshillave të Bashkësisë Islame nuk kanë të hyra të tjera përveç anëtarësisë, të cilat mblidhen nga populli, nga xhemati. Përderisa, populli nuk mblidhet nëpër xhami, nuk tubohet, atëherë edhe nuk paguan. Ndoshta ka ndonjë këshill që gjendet pak më mirë financiarisht, sepse ka pasur të hyra alternative, nga qiratë ose kanë pasur rezerva, por në përgjithësi pandemia COVID-19 financiarisht ka ndikuar te shumica e imamëve në mbarë territorin e Kosovës”, thotë Hasani.

Sipas tij, është e pamundur edhe për inkasantët që të dalin dhe të grumbullojnë anëtarësinë, ose të kërkojnë nga populli që të paguajnë anëtarësinë.

A rrezikohet e ardhmja e xhamisë nga pandemia?

Profesori i shkencave islame, Xhabir Hamiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se xhamitë nuk do të mbyllen asnjëherë, pa marrë parasysh se çfarë ndodh.

Sipas tij, mund të ketë mbyllje të përkohshme, siç është duke ndodhur tash, për shkak të pandemisë.

“Është bërë një apel nga të gjithë prijësit fetarë, autoritetet fetare kudo që janë në botë, për ndalimin e përkohshëm të besimtarëve në xhami, për shkak se është vend publik dhe numri i madh i besimtarëve mund të shkaktojë përhapje të pandemisë në masa më të gjera. Kjo mbyllje e xhamive në të gjithë botën islame kudo është mbyllje e përkohshme. Tash, nëse kjo pandemi zgjatë pakufi, sigurisht se xhamia nuk ka kuptim pa xhemat, në kuptimin që mbetet e thatë”, thotë Hamiti.

Ramazani këtë vit, muaj i ‘vetmuar’ i begatisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Ndryshe, në Bashkësisë Islame të Kosovës, thonë se statusi juridik i saj ende nuk është definuar.

Në Ligjin për lirinë fetare në Kosovë, BIK konsiderohet bashkësi fetare, njëjtë si bashkësitë tjera fetare të feve tjera në Kosovë dhe është e ndarë nga autoritetet publike.

Sipas këtij ligji, institucionet e bashkësive fetare lirohen nga tatimi ose kontributet e tjera të përgjithshme.

Në të gjithë Kosovë janë gjithsej 820 xhami, përfshirë edhe ato që njihen si pasive, për shkak të vjetërsisë ose për shkak të largimit të banorëve nga fshatrat.

Në të gjitha xhamitë janë të ndaluara tubimet fetare, përfshirë edhe taravitë në Muajin e Ramazanit, që ka filluar më 24 prill.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG