Ndërlidhjet

MASHTI me udhëzues për vlerësimin e nxënësve


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Qeverinë e Kosovës ka bërë publik udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë, formë kjo e mësimit e imponuar nga masat që u morën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Udhëzuesi ofron detaje për metodat, mënyrën e format e notimit dhe procedurat e vendosjes së notave në ditarin personal të mësimdhënësit.

Udhëzuesi për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë sugjeron që vlerësimi i nxënësve të realizohet i integruar.

Në këtë udhëzim theksohet se nota përfundimtare e vitit mësimor/shkollor është pasqyrë e vlerësimit të punës së nxënësve para ndërprerjes së mësimit të rregullt në shkollë më 11 mars dhe e vlerësimit formues të realizuar gjatë mësimit në distancë.

Sipas këtij udhëzimi, nota përfundimtare nuk duhet të jetë më e ulët se nota ekzistuese e datës 11 mars.

“Notat e vendosura nga mësimdhënësit duhet të raportohen në organet e shkollës, me qëllim të lëshimit të librezave, certifikatave, dëftesave e diplomave për nxënës. Pastaj, në momentin që krijohen kushtet për kthim në shkollë, notat përfundimtare vendosen në ditarin e klasës përkatëse dhe në librat amë”, thuhet në njoftimin e MASHTI.

Orët mësimore larg nxënësve
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Ministria e Arsimit po ashtu bënë të ditur se në muajin maj në konsultim me autoritetet dhe institucionet përkatëse do të nxjerrin edhe një vendim për mbajtjen e Testit të arritshmërisë për klasat e 9-ta dhe provimit të maturës për klasën e 12 -të.

Me këtë vendim bëhet e ditur se do të harmonizohen edhe datat për regjistrim në klasën e 10-të si dhe afatet për aplikim për studime në universitete apo kolegje.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Mësimi në distancë për klasat 1-9 po realizohet nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik si dhe përmes kanalit të MASHTI në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta mësimi në distancë zhvillohet në mënyrë të decentralizuar – në nivel shkolle, ku mësimdhënësit janë bartësit kryesor të mësimit në distancë.

Arsimi në Kosovë përballet me cilësi jo të kënaqshme. Për cilësi të dobët në arsim, Kosova u alarmua për të dytën herë me radhë nga Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën ‘PISA’, në vitin 2019.

Ky mekanizëm e radhiti Kosovën në vendin e 77 në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi, duke ranguar të tretën nga fundi i listës.

*Udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve e gjeni KËTU

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG