Ndërlidhjet

Koronavirusi zvogëlon importin dhe konsumin në Kosovë


Një punëtor duke dezinfektuar një dyqan ushqimor në Prishtinë.
Një punëtor duke dezinfektuar një dyqan ushqimor në Prishtinë.

Konsumi dhe importi i produkteve në Kosovë ka shënuar rënie, pas masave emergjente që janë marrë për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit.

Sipas Doganave të Kosovës, importi i produkteve në përgjithësi ka shënuar rënie për 62 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me periudhën janar – 21 prill të këtij viti, me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, importi ka shënuar rënie.

“Në muajt e parë të këtij viti, kemi 850 milionë euro produkte të importuara, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur 912 milionë euro, pra kemi një ulje prej 6,8 për qind më pak se vitin e kaluar”, thotë Stavileci, duke shtuar se rënia më e madhe është regjistruar në muajin prill.

Produktet që janë importuar më së shumti janë produktet ushqimore si gruri, mielli dhe produktet mjekësore.

Kosova është e varur nga importi i produkteve të huaja, qoftë nga rajoni apo nga vendet e Bashkimit Evropian, pasi industria e prodhimit vendor ende mbetet pak e zhvilluar.

Rënia e konsumit me pasoja për ekonominë

Paralelisht me importin, rënie ka shënuar edhe konsumi. Sipas zotit Stavileci, nëse bëhet krahasimi i sasisë së konsumit në peshë, në periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar, këtë vit janë 36 milionë kilogramë më pak.

Në përqindje, konsumi sipas përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë, thuhet të ketë shënuar rënie rreth 50 për qind për produktet ushqimore, ndërsa 70 për qind për produktet e luksit.

Në produktet e luksit në Kosovë hyjnë ato produkte që kanë akcizë si: pijet alkoolike, duhani, pijet energjike, nafta dhe produkte të tjera.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se rënia e mëtejme e konsumit rrezikon edhe mbijetesën e bizneseve të caktuara, rrezikon vendet e punës dhe pashmangshëm ndikon edhe te burimet e të hyrave të shtetit.

“Bizneset e shitjes me pakicë raportojnë për rënie të konsumit në normën 50 për qind dhe kjo përfshin të gjithë artikujt në përgjithësi, derisa kjo rënie e konsumit është më e dallueshme te produktet e luksit, ku rënia e kërkesës vërehet në një normë prej 70 për qind”, thotë Zeka.

Sipas një hulumtimi të Shoqatave Ekonomike në Kosovë, të publikuar më 21 prill, theksohet se mbi 92 për qind e bizneseve kanë deklaruar se kanë pasur zvogëlim të shitjeve si pasojë e masave kufizuese.

Hakif Gashi, pronar në kompaninë Meridian Corporation, në një forum virtual të Odës Ekonomike Amerikane, pati thënë se si pasojë e indikatorëve të ndryshëm që janë shfaqur pas paraqitjes së pandemisë, blerjet e qytetarëve kanë shënuar rënie të dukshme.

“Blerjet e qytetarëve janë të orientuara vetëm në produkte esenciale. Por, në përgjithësi konsumi është në rënie dhe kjo po ndodh për shkak se një numër i madh i qytetarëve kanë mbetur pa punë, kanë të ardhura më të vogla dhe ka një pasiguri ekonomike te qytetarët”, pati thënë Gashi.

Rënia e importit më pak të hyra për arkën e shtetit

Dy institucionet që kontribuojnë më së shumti në mbushjen e buxhetit të Kosovës janë Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

Si pasojë e rënies së importit të produkteve edhe të hyrat doganore kanë shënuar rënie, thotë zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci.

“Në të hyrat doganore, aktualisht jemi 5 për qind më pak të hyra se vitin e kaluar. Derisa në vitin e kaluar në periudhën 1 janar - 21 prill janë mbledhur 294 milionë euro, në periudhën e njëjtë të këtij viti kemi 270 milionë euro”, thotë Stavileci.

Administrata Tatimore e Kosovës po ashtu ka shënuar rënie të të hyrave për arkën e shtetit, për rreth 14 milionë euro vetëm në muajin mars.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, buxheti i shtetit si pasojë e masave të marra për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri, mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020 është 2,3 miliardë euro. Sipas këtij buxheti, Doganat e Kosovë për arkën e shtetit duhet të grumbullojë mbi 1,2 miliard euro, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës rreth 600 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG