Ndërlidhjet

Kosova - pesë vende më lart në raportin e Reporterëve pa Kufij


Pandemia e koronavirusit i ka rritur kërcënimet ndaj lirisë së mediave në gjithë botën, ku regjimet autoritare, si Kina dhe Irani, janë duke i ngufatur të dhënat rreth sëmundjes, thuhet në raportin më të ri të organizatës së Reporterëve pa Kufij.

Përhapja e sëmundjes “është duke i forcuar shumë kriza” që veçmë kanë hedhur hije mbi lirinë e shprehjes, thotë organizata me seli në Paris, për të shtuar se pandemia “i ka inkurajuar disa regjime që të përfitojnë nga fakti se njerëzit janë të izoluar”.

Raporti i Reporterëve pa Kufij analizon situatën e gazetarëve çdo vit në 180 vende dhe territore.

Në indeksin e sivjetmë, Kosova renditet e 70-ta, pesë pozita më mirë se vitin e kaluar, kur ka qenë e 75-ta.

Sipas raportit, qasja në informacionet në Kosovë “është shpesh e kufizuar në një grup etnik ose politik” dhe “shumica e mediave raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre”.

“Disa nga shqetësimet e përbashkëta janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj mediave në internet, si dhe mungesa e transparencës së pronësisë së mediave”, thuhet në pjesën për Kosovën.

Shumë media në Kosovë, sipas raportit, nuk janë të qëndrueshme financiarisht dhe kjo i bën të cenueshme ndaj ndikimit politik.

Shumë media të pakicave janë në prag të zhdukjes dhe mbijetojnë kryesisht nga donacionet e huaja, thonë Reporterët pa Kufij.

“Fati i shumë gazetarëve në Kosovë mbetet i panjohur deri më tani, përfshirë edhe gazetarët që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999”, thekson raporti.

Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi mban pozitën numër 105 në raportin e Reporterëve pa Kufij; Serbia 93; Maqedonia e Veriut 92; Shqipëra 84; Kroacia 59; Bosnja dhe Hercegovina 58.

Diktaturat e izoluara, si Turkmenistani dhe Koreja e Veriut, janë vendosur në fund të listës së 180 vendeve, ndërsa Norvegjia dhe Finlanda janë në krye.

Raporti, i titulluar “Hyrja në një dekadë vendimtare për gazetarinë, e acaruar nga koronavirusi”, thotë se Kina, në vendin e 177-të, dhe Irani, në vendin e 173-të, janë censurues të mëdhenj të shpërthimit të koronavirusit.

Raporti po ashtu vë theksin te censurimi i mediave në Hungari – vend anëtar i Bashkimit Evropian – ku Qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka kaluar një ligj për lajmet e rreme, i cili cilësohet si "masë krejtësisht joproporcionale dhe shtrënguese".

"Pothuajse kudo në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, të fuqishmit po e konsolidojnë pushtetin e tyre mbi lajme dhe informacione”, thonë Reporterët pa Kufij.

I publikuar çdo vit nga viti 2002, raporti i Reporterëve pa Kufij analizon faktorë të tillë si pavarësia e mediave, vetëcensura, korniza ligjore dhe transparenca.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG