Ndërlidhjet

Lajçak iu rikujton Kosovës dhe Serbisë mundësitë që sjell dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja


Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë një platformë për t'u marrë me trashëgiminë e së kaluarës dhe për të ecur drejt një të ardhme më të mirë.

Deklarata e bërë në rrjetin social Twitter, e përfaqësuesit evropian, vjen një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se sapo të hiqen masat e tarifave dhe reciprocitetit “dialogu do të fillojë seriozisht”.

“Kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për ta bërë të qartë se ata duhet të fillojnë të krijojnë besim sot në përgatitje të tij dhe ata janë të përkushtuar për ta bërë këtë gjë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është ndërprerë në fund të vitit 2018 pas vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Megjithatë, me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti arritën dy marrëveshje: për hekurudhat dhe transportin ajror.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti insiston që dialogu të vazhdohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përmendur mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje paqeje me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, më 17 prill ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me kolegët amerikanë, sepse “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ndajnë agjendën e përbashkët për rajonin”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG