Ndërlidhjet

Thaçi sërish kërkon emrin e mandatarit nga Vetëvendosje


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar një letër tjetër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - njëherësh kryeministër në detyrë - duke kërkuar nga ky subjekt që si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, të dërgojë emrin e ri për mandatarin për kryeministër.

Kjo është letra e tretë që presidenti Thaçi ia shkruan Vetëvendosjes që nga votimi në Kuvendin e Kosovës, muajin e kaluar, për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Përmes letrës, Thaçi i kërkon Kurtit që brenda një periudhe të arsyeshme kohore të propozojë kandidatin për kryeministër, për të formuar qeverinë e re.

“Ju rikujtoj që mandati im kushtetues më obligon që të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit për kryeministër, për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Thaçi.

“Askush nuk ka të drejtë t’i privojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës për të pasur kandidatin për kryeministër dhe për të ushtruar kompetencën e tij/saj për të zgjedhur qeverinë, siç përcaktohet në nenin 65 (8) të Kushtetutës”, thekson letra.

Që nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, më 25 mars, Vetëvendosje nuk i është përgjigjur ftesës së presidentit Hashim Thaçi për të dhënë një emër të ri për mandatar për të formuar qeverinë.

Në një letër të fundit, që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka nisur presidentit Thaçi, është thënë se ky i fundit po "përdor standarde të dyfishta kur po kërkon emrin e mandatarit nga Vetëvendosje" dhe se "vendi duhet të shkojë në zgjedhje menjëherë pas kalimit të situatës me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi".

Koalicioni qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është prishur pasi Kurti ka shkarkuar nga pozita e ministrit të Brendshëm, Agim Veliun, e LDK-së.

Pas shkarkimit, LDK-ja ka iniciuar mocion mosbesimi, i cili ka marrë votat e nevojshme pasi është nxjerrë në kuvend.

Lexoni edhe këtë:

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG