Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Pakoja Emergjente Fiskale është dizajnuar për të ofruar ndihmë financiare për shtresat më të varfra në Kosovë, në kohën e pandemisë së koronavirusit.
Këto komente, ai i bëri në një konferencë të përbashkët për media me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.
Kurti shpjegoi qëllimet e Pakos Emergjente Fiskale:
“Së pari, të ofrojë ndihmë financiare për shtresat më të varfra gjatë pandemisë COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. Së dyti, të ndihmojë bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative, në mënyrë që të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente, por edhe të sigurohet që bizneset kanë mundësi që të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente. Së treti, të ofrojmë likuiditet shtesë për bizneset, në mënyrë që të stimulohet rritja e aktivitetit ekonomik. Së katërti, të stimulohen punëtorët e sektorëve esencialë gjatë gjendjes së emergjencës, të cilët janë të ekspozuar më së shumti ndaj rrezikut të infektimit dhe, së pesti, të stimulohet punësimi dhe formalizmi në sektorin privat”.
Aktualisht, sipas Kurtit, Pakoja Emergjente është e nevojshme, pasi Kosova është në një situatë emergjente shëndetësore.
Pas kalimit të pandemisë, shtoi ai, do të krijohet një pako e re që do të ketë ndikim në rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Kjo pako nuk ka si qëllim politikat afatgjate për të stimuluar rimëkëmbjen e ekonomisë. Për këtë do të bëhet një analizë, një studim më i thellë. Do të hartohet një pako e dytë, e cila do t'i adresojë nevojat afatgjate të sektorit privat”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, tha se në këtë fazë është e palogjikshme që të krijohet pako afatgjate, sepse nuk dihet dëmi ekonomik që do të shkaktohet nga pandemia.
“Ne jemi munduar që një pjesë të mirë të pakos ta mbështesim me ndihmë financiare nga jashtë dhe kemi kërkuar kredi nga të gjitha institucionet relevante financiare, duke filluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Gjermane për Zhvillim, Bashkimi Evropian, Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, donatorët bilateralë dhe të gjithë na kanë premtuar kredi dhe ndihma me norma të ulëta të interesit”, tha Bislimi.
Kurti dhe Bislimi e quajtën të kotë mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për sot nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, me qëllim të miratimit të masave konkrete ekonomike e financiare për adresimin e pasojave të pandemisë së koronavirusit.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.