Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, njoftoi se Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës e ka shkarkuar nga detyra kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Shefqet Avdija, dhe sekretarin financiar të saj, Behgjet Maliqi
"Ky shkarkim është bërë në përputhje me Ligjin për Ndërmjarret Publike", tha ministrja Hajdari duke shtuar se ndërmarrja kishte degarduar gjatë viteve të fundit.
Trendi i humbjeve financiare në këtë kompani publike, sipas ministres Hajdari, ka vazhduar nga viti në vit.
"Posta e Kosovës kishte marrur një opinion të keq nga Zyra Kombëtare e Auditimit", tha Hajdari.
Ajo mbrojti vendimin e Bordit të Përkohshëm, për të cilin tha se është marrë në bazë të ligjit dhe për të ndaluar keqmenaxhimin e parasë publike.
"Vetëm në vitin 2018 humbjet kanë qenë 2 milionë e 333 mijë euro", tha Hajdari.
Ndërkaq, drejtori i Bordit të Përkohshëm, Mentor Arifaj, tha se bazuar në raportet e auditimit "kontrolli i menaxhimit financiar nuk është në nivelin e duhur".
Më 2 prill, qeveria në detyrë e Kosovës kishte shkarkuar bordin e Postës së Kosovës dhe e kishte emëruar një bord të përkohshëm.
Qeveria e kishte arsyetuar shkarkimin me faktin se "Bordi i Postës së Kosovës ka shkelur detyrat finaciare".