Qeveria në detyrë e Kosovë, përmes një komunikate për media ka njoftuar se në mbledhjen e fundit, ka marrë vendim që të autorizohet “ministri i Ministrisë së Shëndetësisë që të nxjerrë vendime me qëllim të parandalimit dhe luftimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19”.
Sipas qeverisë në detyrë, vendimet do të jenë në funksion të zbatimit të dispozitave të Ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
“Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas rekomandimeve të njësive përkatëse profesionale dhe në konsultim me Komunat respektive do ta përcaktojë orarin e lëvizjes ose ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, si dhe të bëjë përjashtime të orarit të kufizimeve të përcaktuara në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 02/17 të datës 27.03.2020”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Po ashtu, është theksuar që vendimi i miratuar sot nga qeveria në detyrë, ka për qëllim racionalizimin e kohës në procesin e marrjes së vendimeve, në funksion të parandalimit dhe luftimit të përhapjes së epidemisë COVID-19.
Vendimi, sipas qeverisë është mbështetur në dispozitat ligjore të Ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse si dhe duke u bazuar në konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, numër KO54/20, të datës 31 mars 2020.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese vendimin e 23 marsit, të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Gjykata Kushtetuese konstatoi se ky vendim i qeverisë ishte në shpërputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja tha se vendimi i kufizimit të lëvizjes do të mbetet në fuqi deri më 13 prill.