Ndërlidhjet

BE-ja i kërkon Kosovës t'i lërë anash dallimet politike


Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që në Kosovë, të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme, dhe të ketë angazhim në përgjigjen ndaj krizës së pandemisë.

Ajo ka theksuar se shoqëria e Kosovës, sikur të tjerat në botë, po përballet me një krizë të pashembullt shëndetësore, që urgjentisht ka nevojë për një përgjigje nga të gjitha autoritetet e Kosovës, bashkë me një reagim dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët e saj.

“Në rrethana të tilla është urgjente lënia mënjanë e dallimeve politike dhe debateve tëpadobishme. Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin rajonal në mënyrë që të mundësojë çdo ndihmë të mundshme për ata që preken nga COVID-19”, ka theksuar Apostolova në deklaratën e saj.

Më herët , edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka përgëzuar ato që i ka konsideruar si përpjekje të vazhdueshme të profesionistëve shëndetësorë dhe pjesëtarëve tjerë të shoqërisë që po punojnë në parandalimin e përhapjes së sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Megjithatë, kjo ambasadë ka theksuar se sëmundja mposhtet duke lënë anash ndasitë mes komuniteteve, dhe duke ndjekur udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë.

Vendosja në karantinë e dy komunave me shumice serbe, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit ka nxitur polemika mes klasës politike në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shtunën ka thënë se qeveria në detyrë është e papërgjigjshme karshi situatës në veri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një video-mesazhi të publikuar më 5 prill, ka kërkuar nga qytetarët që t'i marrin me rezervë deklarimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Tash duan konfikte e gjakderdhje ne terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur Gjendje të Jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arriten ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë për ta shpallur”, ka thënë Kurti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG