1. Si transmetohet koronavirusi i ri nga një person në tjetrin?
Koronavirusi i ri është një virus i frymëmarrjes i cili përhapet kryesisht përmes kontaktit me një person të infektuar.
Mënyrat kryesore janë përmes:
- pështymës, kollitjes dhe teshtitjes nga personi i infektuar
- kontakti direkt me personin e infektuar
- prekja e gojës, hundës dhe syve me duar (të palara) pas kontaktit me personin e infektuar ose kontakti me sipërfaqen e cila është kontaminuar nga personi i infektuar.
Në raste të rralla, infeksioni mund të shfaqet përmes kontaminimit fekal.
*Video: Si shpërndahet COVID-19?
Është e rëndësishme që personat që janë të infektuar të mbajnë higjienë, si për shembull kur teshtinë apo kolliten të përdorin faculetë apo ta mbulojnë gojën dhe hundën me dorë.
2. Cili është definicioni i kontaktit të afërt me një person të infektuar?
Qendra Evropiane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kontaktin e afërt e definon si:
- duke qenë afër fytyrë me fytyrë me personin e infektuar në një distancë më të shkurtë se 2 metra për më gjatë se 15 minuta;
- duke qenë në një ambient të mbyllur (për shembull në një dhomë të mbledhjeve) me një person të infektuar në një distancë më të shkurtë se 2 metra për më gjatë se 15 minuta;
- duke jetuar në shtëpi me një person të infektuar;
- kontakti i drejtpërdrejtë më një person të infektuar (për shembull shtrëngimi i duarve);
- kontakti i drejtpërdrejtë me sekrecionin e një personi të infektuar (për shembull prekja e faculetës së përdorur, me duar të pambrojtura).
3. Sa gjatë qëndron koronavirusi i ri në sipërfaqe?
Informacionet paraprake tregojnë se virusi mund të mbijetojë për disa orë.
Përdorimi i dezinfektuesve të thjeshtë e vret virusin dhe ndalon atë që të infektojë njerëzit, si për shembull dezinfektuesit që përmbajnë 75% alkool (etanol) ose 0.05% me bazë klori (zbardhues).
Mbani në mend që gjithmonë duhet të dezinfektoni gjërat që i përdorni shpesh, për shembull telefonin, me një leckë të lagur me alkool.
4. A mundet një person i infektuar i cili nuk ka simptoma ta transmetojë koronavirusin e ri te një person tjetër?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rruga kryesore e transmetimit të virusit është përmes kontaktit të afërt me personat që kanë simptoma.
*Video: Informacioni për COVID-19 mposht panikun
Sidoqoftë, besohet se në disa raste të rralla personat të cilët janë në fazat fillestare të sëmundjes dhe të cilët kanë simptoma të buta, gjithashtu mund ta transmetojnë virusin.
5. Kur mund të konsiderohet i shëruar një person i cili ishte i infektuar?
Një person i cili ka qenë i infektuar mund të konsiderohet i shëruar pasi ai ose ajo testohet dy herë radhazi në 24 orë dhe testi del negativ në të dyja herët.
- Për informacionet e fundit rreth koronavirusti ndiqni blogun e Radios Evropa e Lirë
6. A mundet koronavirusi i ri të transmetohet përmes ushqimit?
Normalisht, sëmundjet e frymëmarrjes nuk transmetohet përmes ushqimit. Por, ushqimi gjithmonë duhet të jetë në përputhje me praktikat e mira të higjienës.
*Video: Larja e duarve shpëton jetë
Studimet janë duke vazhduar për të kuptuar më mirë se si transmetohet virusi.
7. A është e nevojshme që të pastrohen rrugët me dezinfektues?
Nuk ka asnjë provë që rrugët janë të përfshira në transmetimin e virusit apo që pastrimi i tyre me dezinfektues është i nevojshëm.
*Video: Komuna e Prishtinës pastron rrugët si masë anti-koronavirus
Pastrimi i zakonshëm i rrugëve me pastrues është i rekomandueshëm.