Shtatëmijë teste për koronavirus janë porositur nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe ato pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak ditësh, thanë zyrtarë të këtij institucioni.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë ministri, tha se ofertuese e testeve ëshë një kompani vendore, por nuk dha më shumë detaje për të.
Hoti po ashtu tha se është porositur terapi klorokine (Chlorochuine), por theksoi se për përdorimin e saj do të vendosin profesionistët e fushës.
“Brenda pak ditësh do t’i kemi edhe dozat e para të produktit klorokine. Por, duhet përmendur se akoma nuk ka një medikament, i cili është treguar i suksesshëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje”, tha Hoti.
Për medikamentin tjetër azitromycine, me të cilin thuhet se mund të trajtohen pacientët e prekur me koronavirus, në kombinim me të parin, Hoti tha se është në listën esenciale të barnave dhe se ka në stoqe.
Aktualisht, vaksinë kundër sëmundjes që shkakton koronavirusi, COVID-19, nuk ka.
Kosova ka 33 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën të dielën.
- Për lajmet e fundit rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.