Ndërlidhjet

Mustafa i kërkon Kurtit të rikthejë Veliun dhe të heqë taksën


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ta heqë tarifën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e ministrit Agim Veliu.

“Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heqë tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Atij dhe LDK-së t’i kërkojë falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, tha Mustafa në një postim në Facebook.

Kurti ka shkarkuar këtë javë ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, duke thënë se ai nuk i ka mbështetur qëndrimet e qeverisë për gjendjen e jashtëzakonshme rreth koronavirusit dhe se ka përhapur panik në lidhje me këtë sëmundje.

Në përgjigje, LDK-ja – parti partnere e koalicionit qeverisës – ka iniciuar mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Zhvillimet politike kanë nxitur kritika në kohën kur Kosova, ashtu si edhe vendet e tjera, po luftojnë pandeminë e koronavirusit.

Të enjten mbrëma, qytetarët në Prishtinë kanë protestuar kundër krizës qeveritare, duke bërë zhurmë nga ballkonet e tyre.

Mustafa po ashtu i kërkoi Kurtit që gjatë kësaj jave ta heqë tarifën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja – një kërkesë kjo e vazhdueshme edhe e Shteteve të Bashkuara.

"Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme, por si interes të përbashkët”, porositi Mustafa Kurtin.

Kurti, javë më parë, ka paraqitur një plan për heqjen graduale të tarifës, nga data 15 mars, por në ditën kur do të duhej të niste zbatimi i këtij plani, ai ka thënë se nuk ka arritur ta bindte LDK-në për heqjen e pjesshme të tarifës.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë bërë vazhdimisht thirrje për heqjen e plotë të kësaj mase, e cila është bërë edhe pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG