Autoritetet kanë kthyer të enjten në Kosovë 39 qytetarë, të cilët kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus. Një ditë më herët, ndërkaq, është kthyer ekipi kombëtar i boksit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit në Qeverinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha përmes një postimi në Facebook se të gjithë ata do të vendosen në karantinë 14-ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë.
“Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu, do të vazhdojë’, tha Abdixhiku.
Kosova, tash për tash, ka 20 raste të konfirmuara me koronavirus.
Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Për të penguar përhapjen e koronavirusit, shumë vende në botë i kanë mbyllur kufijtë.
- Për lajmet e fundit rreth koronavirusit në botë, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.