Ndërlidhjet

Malisheva po mundohet t’i identifikojë personat që kanë ardhur nga Italia


Ilustrim.
Ilustrim.

Komuna e Malishevës deri me tani ka katër persona që kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus.

Kjo komunë është në karantinë që nga identifikimi i rastit të parë dhe raportohet se ka numrin më të madh të mërgimtarëve që ditëve të fundit kanë ardhur nga Italia në Kosovë.

Mirëpo, evidentimi i tyre është i pamundur për autoritetet komunale atje.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në një bisedë për Radio Evropa e Lirë tha se është i madh numri i mërgimtarëve nga Italia që ditëve të fundit kanë ardhur në Malishevë.

Begaj thotë se identifikimi i tyre është një proces i vështirë pasi aktualisht komuna ka në dispozicion vetëm të dhënat kufitare për personat që janë futur në Kosovës përmes pikës kufitare në Vermicë.

“Numrin e saktë nuk e kemi. Na kanë ardhur disa shënime por për disa prej të ardhurve nga Italia veçse ka kaluar ajo faza e shfaqjes së simptomave dhe rrezikut. Janë diku 103 ose 104 persona nga Italia që kanë kaluar kufirin në Vermicë. Nuk e dimë ende edhe nga aeroporti sa kanë ardhur sepse ende nuk janë nxjerrë shënimet por ne së bashku me kryetarët e fshatrave jemi duke punuar që ta gjejmë numrin e tyre të saktë. Kryetarët e fshatrave janë duke punuar. Mërgimtarët vinë dhe nuk lajmërohen”, tha Begaj.

Begaj tha se së bashku me institucionet e tjera komuna dhe qendrore janë duke u kujdesur që qytetarët që kanë pasur kontakt me personat e infektuar të respektojnë rregullat e karantinës në mënyrë që të mos rrezikojnë persona të tjerë.

“Ne do të mundohemi që ta menaxhojmë situatën. Jemi në kontakt me njerëz. Po mundohemi me i vetizolu ata njerëz që kanë pasur kontakte më të prekurit nga virusi. Aktualisht i kemi katër raste”, tha Begaj.

Rasti i parë i evidentuar me koronavirus nga kjo komunë kishte ardhur nga Italia dhe dyshohet se nga kontakti me të janë infektuar edhe persona të tjerë.

Deri më tani në Kosovë 13 persona janë prekur nga kjo sëmundje.

Qeveria e Kosovës, pas rritjes së numrit të të infektuarve, më 15 mars vendosi që të shpallë gjendje të emergjencës publike.

Lexoni këtu më të rejat për koronavirusin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG